Lajme dhe shpalljet > Tekst

 

 

 

LAJME DHE SHPALLJET

 

 

 

 

 

Artistët nga Serbia, me art e diskutime vijnë në Prishtinë

Suzana Berisha ... 2015-08-26

 

 

“Këtu do t’i kemi dy projeksione të filmave, dy ekspozita, katër tribuna dhe katër koncerte, e të gjitha do të organizohen nga artistët nga Serbia. Mendoj që kjo është shenjë e mirë që të fillojmë me ngjarje të ngjashme dhe që artistët e rinj nga Kosova dhe Serbia të lidhin marrëveshje” tha Dlombiç.

Festivali “Muaji i Beogradit në Prishtinë” ditën e parë të tij do ta ketë pikërisht sot. Konferenca e mbajtur për media në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë edhe e zyrtarizoi hapjen e këtij festivali.

Ky festival është pjesë e projektit “Serbia dhe Kosova: thyerja e akullit ndërkulturor” projekt ky që implementohet nga Komuniteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut me seli në Beograd, ndërsa partneri kosovar i këtij projekti është Qendra Liberal Demokrate.
Birol Urcan nga Qendra Liberal Demokrate tha se në kuadër të muajit të Beogradit në Prishtinë, do të ketë aktivitete të shumta në fushën e artit dhe të kulturës, ku do të përfshihen ekspozita, shfaqje të filmave, gjithashtu do të ketë koncerte, performanca muzikore, dhe debate të shumta.

“Këto aktivitete kulturore dhe artistike do të jenë nga artistët nga Beogradi. Një ngjarje të tillë mos të them të njëjtë e kemi pasur edhe në Beograd gjatë muajit qershor, ku pjesë e këtij projekti ishin artistët kosovarë të cilët kanë performuar në Beograd. Projekti ka për qëllim që përmes shkëmbimit kulturor të promovojë dhe të krijojë lidhje të reja në mes të rinjve dhe t’i forcojë lidhjet e vjetra” tha Urcan.

Ndërsa lidhur me sigurinë e artistëve nga Serbia në Kosovë, ai tha se janë ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë nga Policia e Kosovës dhe se nuk ka vend për shqetësim.

Ndërsa Jelena Dlombiç nga Organizata Komuniteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, tha se ky projekt ka për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Përmes këtij projekti dëshirojmë që t’i forcojmë marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijojmë një rrjetë në mes të akademikëve dhe shoqërisë civile, dëshirojmë që përmes kulturës dhe artit të përkrahim zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të promovojmë aktivitetet e përbashkëta të artistëve të rinj dhe t’i thyejmë stereotipat e paragjykimet që ekzistojnë në mes të serbëve dhe shqiptarëve” deklaroi Dlombiç.

“Këtu do t’i kemi dy projeksione të filmave, dy ekspozita, katër tribuna dhe katër koncerte, e të gjitha do të organizohen nga artistët nga Serbia. Mendoj që kjo është shenjë e mirë që të fillojmë me ngjarje të ngjashme dhe që artistët e rinj nga Kosova dhe Serbia të lidhin marrëveshje” tha Dlombiç.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe Milorad Stajiqiq, i cili nesër do të hapë ekspozitën e tij në kuadër të festivalit. Ai tha se për të ishte hera e parë që ndodhej në Prishtinë.

“Është hera e parë që jam në Prishtinë, është hera e parë që po shkeli tokën e Kosovës, edhe pse për Kosovën kam dëgjuar gjithë jetën time. Kur kam kuptuar që do të hapë ekspozitën time në Kosovë kam qenë shumë i lumtur për këtë fakt, ndërsa kur ju kam treguar prindërve të m’i se do të vi në Kosovë për të hapur ekspozitë, ata më kanë thënë se pse do të shkosh atje, ata janë armiqtë tanë dhe se do të të vrasin, mirëpo mua normalisht që më është dukur marrëzi ajo që ata më kanë thënë. Ndërsa tani kur erdha këtu e pashë që edhe ju jeni njerëz si gjithë të tjerët” u shpreh Stajiqiq, duke treguar më pas se si kishte kuptuar se në mes të Kosovës dhe Serbisë, politikat e kishin ndalur funksionimin e romingut dhe se një gjë e tillë ishte e pakuptimtë për të.

Aktiviteti i parë në kuadër të festivalit “Muaji i Beogradit në Prishtinë” do të jetë shfaqja e filmit “Fëmija i askujt” në Kinemanë ABC.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Copyright * Helsinki Committee for Human Rights in Serbia - 2015

Web Design * ParadoXFactory