Lajme dhe shpalljet > Tekst

 

 

 

LAJME DHE SHPALLJET

 

 

 

 

 

Hapet ekspozita e dytë me radhë në kuadër të Festivalit “Muaji i Beogradit në Prishtinë”

Suzana Berisha, KultPlus.com ... 04.09.2015.

 

 

Një monitor i ndezur ishte i vendosur përballë derës kryesore të Galerisë së Fakultetit të Arteve. Në monitor ishin të vendosur pesëmbëdhjetë paralajmërime të të vdekurve, që të gjithë emra serbësh. Përveç njoftimeve për të vdekurit, ky monitor i cili ishte me prapavijë me luleshtrydhe kishte të vendosur edhe disa reklamime nga ato më të ndryshmet.

Kjo fotografi ishte realizuar nga artisti serb Marko Cernobrnja, ku ky i fundit së bashku me Ksenija Joviseviq dhe Marko Stojanoviq hapën ekspozitën e tyre në kuadër të festivalit “Muaji i Beogradit në Prishtinë”.

Kjo ekspozitë, e cila ishte e dyta që po hapej në Prishtinë nga artistët nga Serbia, përmban kryesisht fotografi të ndryshme, duke përfshirë edhe një skulpturë, të një djaloshi që po ngiste biçikletën.

Në këtë ekspozitë u tha se fotografitë sot, më shumë se kurrë, shënojnë arritjen e tyre të plotë në të gjitha sferat e jetës shoqërore, duke sjell ndryshime radikale në përjetimin kolektiv të botës përreth. Në këtë mënyrë, zhvillimi i shpejtuar i teknologjisë, risitë e shumta në fushën e pajisjeve digjitale dhe telekomunikacionit të pajisura me kamera, së bashku me përdorimin e tyre në rritje në masë e kanë kthyer fotografinë në praktikë dominuese kulturore dhe në një aspekt të pa shmangshëm të veprimtarisë sonë të përditshme.

Përfaqësues nga Fakulteti i Arteve në Prishtinë, në hapjen e ekspozitës së radhës nga artistët serb, thanë të ndihen të privilegjuar që janë në shërbim të kulturës dhe bashkëpunimeve kulturore, jo vetëm në vend por edhe më gjerë.

Hapësira e Galerisë së Fakultetit të Arteve ishte e rrethuar nga punimet artistike të artistëve nga Serbia. Në muret e anës së djathtë të Galerisë, ishin të vendosura pesë fotografi të telefonave të kohës së vjetër. Ndërsa ana e majtë përmbante fotografi që pasqyronin realitetin e jetës së popullit në kushte të ndryshme të nivelit jetësor.

“Serbia dhe Kosova: kultura pa kufi” është një program më anë të cilit edhe organizohet Festivali “Muaji i Beogradit të Prishtinë”, i cili synon që përmes këtij projekti të kontribuojnë në ripërtëritjen e marrëdhënieve të vendosura më herët dhe krijimin e komunikimeve të reja në mes të rinjve, akademikëve, grupeve të artistëve, medieve dhe të shoqërisë civile nga Beogradi dhe Prishtina.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Copyright * Helsinki Committee for Human Rights in Serbia - 2015

Web Design * ParadoXFactory