Lajme dhe shpalljet > Tekst

 

 

 

LAJME DHE SHPALLJET

 

 

 

 

 

A munden artistët t’i rikuperojnë dëmet nga e kaluara?

Gazetaere ... 31/05/2017

 

 

“Kultura përtej nacionalitetit” ishte tema e debatit publik që u mbajt sot në Fakultetin e Arteve në Prishtinë në kuadër të programit “Serbia dhe Kosova: Akullthyesit ndërkulturor”.

Debati u fokusua më shumë në atë se çka do të mund të bënin artistët që t’i rikuperojnë marrëdhëniet e dëmtuara mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Gazeta e Re.

Kulturologia Aleksandra Duric-Bosnic tha se në mes dy shteteve duhet të ketë partneritete dhe bashkëpunime të reja në fushën e kulturës që të krijohen vepra konkrete dhe të gjendet kultura që të gjithë e duan.

“Ajo që duhet të bëjmë është ta duam kulturën e njëri tjetrit. Ajo që mund të bëjë arti në Kosovë, Maqedoni dhe Serbi në mënyrë të ndershme, pa propagandë është provokimi i “Katarzës Aristoteliane”. Pra, njerëzit vetë të njohin dhe të pranojnë atë që është pjesë e potencialit të keq historik. Duke e bërë këtë, njerëzit bashkërisht do të mund të angazhohen dhe të bashkëndiejnë për atë çfarë ka ndodhur dhe të mos e ringjallin nacionalizmin që mund të qojë deri te lufta. Artistët kanë universin e vet artistik e në atë univers ajo që është lajm i mirë është se në një botë ideale stereotipi është gjithmonë banalizim dhe aty nuk ka hapësirë për banalitet”, tha Bosnic.

Sipas saj, qëndrimet nacionaliste vërehen shumë në artin serb dhe se ata që mendojnë ndryshe dhe shprehin artin në forma të veçanta ndërpriten nga sistemi. Bosnic në fjalimin e saj po ashtu përmend disa “hapësira të errëta sekrete”, nga të cilat kultura serbe po rrezikohet.

“Në vitet e fundit, jemi duke u rikthyer në versionin e mëparshëm ku mendimi ndryshe kundër shtetit dhe nacionalizmit është duke u ndaluar. Ekziston një sistem që ndërpret kontributet financiare për ata që mendojnë ndryshe si dhe hapësirat për evenimente të ndryshme p.sh për film. Fatkeqësisht në kulturë në Serbi ka disa “hapësira të errëta sekrete” që kanë motive të rrezikshme, të cilat rekomandohet t’i evitoni nëse merreni me kulturologji. Pavarësisht kësaj, fatmirësisht ka hapësirë alternative e që është përmes shkrimeve dhe botimeve. Mirëpo, politikanët janë duke u munduar t’i shkatërrojnë edhe ato hapësira që janë”, u shpreh Bosnic.

Ndërkaq regjisorja Burbuqe Berisha theksoi faktin se në kinematografinë serbe ka shumë filma nacionalistë ku pasqyrimi i shqiptarëve është gjithmonë i keq dhe i papranueshëm.

“Stereotipet ndodhin edhe tek ne edhe te ata. Problemi është që ende nuk e kemi tejkaluar atë që duhet ta tejkalojmë sepse nuk është një popull i tëri i keq sepse kanë qenë agresorë. Kur fillojmë ta kuptojmë realen dhe diskutojmë në këtë mënyrë të komunikimit atëherë do ta kemi më lehtë. Edhe pse ne jemi një gjeneratë që kemi vuajtur nga sistemi serb nuk do të thotë se nuk duhet të komunikojmë sepse mendoj se ka njerëz të mendësisë tjetër të cilët e dinë se Kosova është e pavarur dhe ka një realitet të ri”, tha Berisha.

Sipas saj, kasta e aktorëve dhe regjisorëve të Kosovës janë shumë më të hapur dhe më komunikativ sa i përket këtyre temave se sa ajo serbe.

“Jo vetëm në pjesën artistike por edhe atë historike, Serbia është duke e krijuar një histori të rreme që në fakt të gjithë kriminelët po i shpallë heronj kombëtar. Kjo është e dhimbshme sepse po krijohet një realitet i rremë. Ne duhet të njihemi më afër sepse nëse njihemi edhe mund të komunikojmë artistikisht dhe historikisht”, u shpreh Berisha.

Në anën tjetër, regjisori Ismet Sijarina i fajësoi artistët të cilët tendencat e tyre politike i paraqesin përmes kreativitetit të tyre, e që sipas tij si rrjedhojë krijojnë stereotipe. Ai potencoi se artistët janë ata që i vendosin agjendat dhe janë një hap para politikës ndonëse sipas tij, nuk gëzojnë mbështetjen e duhur.

“Ne kemi krijuar stereotipe të ushtarëve serbë që vrajnë, pinë, këndojnë. Të gjitha këto kanë kaluar në shabllon sepse në disa filma i shoh edhe aktorët e njëjtë me uniforma të njëjta nga filmi në film. Nëse vazhdojmë me lansimin e këtyre stereotipeve për të mbrojtur një bazë nacionaliste, ose e bëjmë për të promovuar nacionalizmin ose për të arritur më lehtë tek fondet shtetërore. Në Kosovë nuk është lehtë të mbijetosh si artist sepse varemi në fonde shtetërore. Po që se krijon një opinion ndryshe mund të humbasësh fondet ose të cilësohesh si opozitë”, përfundoi Sijarina.

Ky debat u organizua nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut me qendër në Serbi./gazetaere.com/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Copyright * Helsinki Committee for Human Rights in Serbia - 2015

Web Design * ParadoXFactory