“Kultura mbi
nacionalitetin” është formulë për
tejkalimin e barrierave
Koha
...
1 qershor 2017
Prishtinë, 1 qershor - Kultura është
mbi nacionalitetin dhe artistët
duhet t’i vënë vetes qëllim që në
vend të promovimit të ideve
nacionaliste, nëpërmjet veprave
artistike, t’i tejkalojnë barrierat.
Stereotipat që shihen nëpër filma që
realizohen në Kosovë e Serbi, veç të
tjerash, lidhen me faktin që
projektet financohen nga shteti dhe
ata që nuk i janë përshtatur
ideologjisë mund të jenë ndëshkuar.
Të tilla tema janë diskutuar në
debatin me temën “Kultura mbi
nacionalitetin”, që u mbajt të
mërkurën në Prishtinë. I organizuar
nga Komiteti i Helsinkit për të
Drejtat e Njeriut në Serbi në kuadër
të programit “Serbia and Kosovo:
Intercultural Icebreakers”, debati i
mbajtur në ambiente të Fakultetit të
Artit të Universitetit të
Prishtinës, mblodhi artistë e
aktivistë nga Kosova e Serbia.
Regjisori Ismet Sijarina, e ka hapur
debatin duke thënë që ideja është që
kultura të promovohet si diçka mbi
nacionalen dhe të shihet si diçka që
tejkalon kufijtë e barrierat. Ai ka
thënë se artistët duhet të arrijnë
audienca sa më multinacionale, tek
ka shtruar pyetjen nëse duhen
fajësuar edhe artistët për krijimin
e stereotipave nëpër vepra arti që
shihen për çdo ditë në Kosovë a
Serbi. Sijarina ka përmendur dy të
tilla: në një film serb protagonisti
shqiptar është një djalosh me plis,
i cili shet drogë dhe jeton në
familje 13-anëtarëshe, e në filma
kosovarë, ushtarët serb pinë raki,
këndojnë e vrasin.
Sipas tij, artistët kudo në botë
janë ata që i vendosin trendet dhe
janë një hap para politikës dhe të
tjerëve.
Kulturologia Aleksandra
Gjuriq-Bosniq nga Novi Sadi, ka
folur për skenën kulturore të
viteve’90 të pushtuara nga ato që i
quan matrica ideologjike e të cilat
vazhdojnë edhe sot të jenë prezente.
Gjuriq-Bosniq ka shtuar se periudha
e viteve ’90 ka sjellë shumë të
këqija, por ka thënë se i vjen mirë
që edhe asokohe ka qenë një grup
njerëzish, artistë e teoricienë
bashkëkohorë që kanë tentuar të
heqin këto paragjykime.
Regjisorja Burbuqe Berisha, ka thënë
se i takon gjeneratës që e njeh
kulturën jugosllave dhe vazhdon të
jetë në hap me atë që ndodh në
kulturën në Ballkan, si në Serbi
ashtu edhe në Mal të Zi, Bosnjë e
Kroaci. “Dhe mund të them që
stereotipat ndodhin edhe tek ne, por
edhe tek ata. Problemi kryesor është
që ende nuk e kemi tejkaluar atë që
duhet ta tejkalojmë, sepse gjithmonë
i gjithë populli nuk është i keq, se
ka qenë agresor. Edhe ne gjithmonë
nuk jemi të mirë. Dhe kur fillojmë
ta kuptojmë realen dhe mund të
diskutojmë normalisht për këtë
mënyrë komunikimi, atëherë do ta
kemi më lehtë”, ka thënë Berisha,
duke shtuar se në kinematografinë
serbe ka filma nacionalistë dhe se
shqiptarët zakonisht i pasqyron si
të këqij e të papranueshëm
(gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”). |