Lajme dhe shpalljet > Tekst

 

 

 

LAJME DHE SHPALLJET

 

 

 

 

 

10 në 12. Ende kemi kohë

Nga Besarta Gashi ... 28/02/2018

 

 

14 shkurti i këtij viti nuk ishte një ditë e zakonshme e të dashuruarve në kryeqytetin metropolitan të Serbisë. Ishte një ditë përtej të zakonshmes, ditë ku arti dhe kultura u bënë bashkë për të thyer akujt e ngritur prej dekadash.

Në këtë ditë po mbahej ekspozita e përbashkët e artistëve të rinjë nga Kosova dhe Serbia e quajtur ‘’10 në 12. Kemi kohë’’, si përmbledhje e punës 10 ditore gjatë projektit ‘’Serbia and Kosovo: Intercultural Icebreakers’’ që organizohet për të 7tën herë me radhë nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, e që u mbajt Tetorin e vitit të kaluar në disa prej qyteteve të këtyre dy vendeve.

Pjesë e kësaj ekspozite ishin artistë të ndryshëm nga Kosova dhe Serbia që kishin sjellur punimet e tyre të shihen për publikun. Dikush me poezi, dikush me fotografi, të tjerë me instalacione. Galeria ishte e mbushur plot dhe shihej entuziazmi dhe dëshira e këtyre të rinjëve për të fshirë vijën e gjatë që i ndante me vite.

Sipas Koordinatores së Programit Jelena Dzombic, ky projekt ka për qëllim që me veprat e këtyre artistëve të ‘’shkatërrohet’’ në njëfar mënyre figura dhe përceptimi mbi ‘’tjetrin’’, duke i dhënë hapsirë takimit me të ‘’ndryshmen’’, në mes tjerash për të treguar se sa është e lehtë të thyhen konceptet e vjetërsuara të cilat nuk i shërbejnë pajtimit dhe bashkëpunimit të të dyja shoqërive, por që të cilat në të shumtën e rasteve ndajnë probleme, ëndrra dhe shpresa të njejta.

Ajo që binte në sy që kur hyje në ekspozitë ishte instalacioni i artistit të ri nga Kosova, Eni Pirana, student i Dizajnit të Komunikimit, i cili edhe pse i ri në moshë kishte sjellur në mënyrë mahnitëse kujtimin e tij nga lufta në Kosovë. Një reliktë e cila mbante me vete peshën e të kaluarës së eksodit të popullit shqiptar e mbushur me shumë emocion e dhimbje. Një xhaketë e cila bashkë me fotografinë, gjilpërën dhe një kartëmonedhë tregonin një pjesë të historisë së tij të fëmijërisë.

Sipas tij, arsyeja pse kishte shprehur interesimin të ishte pjesë e këtij projekti është pikërisht fakti i thyerjes së shumë stereotipeve që kishte për të rinjtë serbë. ‘’Përveç që kurrë nuk kisha qenë në Serbi, kurioziteti se përveç asaj që jemi shumë afër por dijmë shumë pak për njëri tjetrin si shoqëri, më ka shty shumë që të jem pjesë e projektit. Programi, kauza dhe aktivitetet që ishin të përfshira në këtë projekt më kanë ndihmuar që të thej një tabu që e kisha se unë si kosovar nuk mundem me shku në Serbi apo edhe me mar pjesë në një ekspozitë të tillë në Serbi. Kjo është shkatërru dhe këtë e kemi dëshmuar të gjithë, edhe ne nga Kosova por edhe shokët tanë nga Serbia’’.

Në të vërtetë kjo ishte arsyeja e shumicës së artistëve të rinjë shqiptarë dhe serb se pse kishin vendosur të ishin pjesë e tij. Është e dhimbshme të thuhet se sa i madh ishte dhe vazhdon të mbetet ndikimi shoqëror edhe në gjeneratat e reja.

Por ky projekt u dha mundësinë atyre që të shohin përtej ndikimit shoqëror, të shohin të bukurën, problemet dhe ëndrrat që i ndajnë bashkë. Madje për dikë si Vana Filipovski, studiuese e Menaxhimit të Kulturave dhe me diplomë bachelor në Studimet e Paqes, ky projekt i dha asaj mundësinë që të drejtohet në atë që dëshiron të bëjë tutje me studimet e saj.

‘’Përveç asaj që kisha mundësinë të shihja Kosovën për herën e parë dhe të takoj shumë të rinjë të mrekullueshëm nga atje, kështu duke thyer stereotipet e shumta që kisha për ta, kjo gjithashtu më ka bërë të interesohem edhe më shumë për ‘’Dialogun Inter-Kulturor’’, dhe të filloj diçka të ngjashme në Ballkan’’ përfundoi ajo.

Të njejtin mendim ndan edhe bashkëvendasi i saj Ivan Dinic, i diplomuar në Sociologji i cili ishte pjesë e ekspozitës me fotografi të realizuara gjatë projektit, duke treguar për ndjenjat dhe emocionet e tij që kishte gjatë aplikimit në projekt dhe pas shkuarjes në Kosovë.

‘’Nuk kisha qenë asnjëherë në Kosovë, dhe për mua ishte shumë sfiduese dhe interesante të takoja të rinjë sikur unë. Kështuqë para se të bëja ndonjë gjykim, vendosa të shkoja atje ta shihja me sytë e mi. Ajo që kam përfituar më së shumti nga ky projekt është se kam takuar shumë të rinjë të mrekullueshëm, që nuk janë të ndryshëm nga unë dhe më ka krijuar një prespektivë për mua se si do ta shohë Kosovën, dialogun dhe njerëzit që jetojnë atje’’.

Ivani bashkë me artistë të tjerë si Shpat Maloku, Vana Filipovski, Arbnora Ademi, Leona Velia, Teodora Savic dhe Mirjeta Shatri kishin sjellur në mënyrë të përkryer fotografitë nga të dyja vendet dhe gjatë projektit duke i dhënë një shije tjetër publikut të ekspozitës, mbi ndryshimet, të përbashktat dhe gjykimet që kishin mbi njëri tjetrin si shoqëri.

Dhe natyrisht është e pamundur të mos ju’a kapë syri fotografinë në të cilën ishin shkruar disa prej shprehjeve (fjalëve) të cilat këta i kishin dëgjuar apo ditur për vendet e njëri tjetrit. Vërehet qartë sa pak, ose kryesisht janë gjërat negative ato që dinin për njëri tjetrin përvec atyre nga arti dhe kultura.

Për cilin Beograd?Liria me kenët’barabartë? Nga ‘’Unë’’ në ‘’Ne’’?

Këtoishin poezitë e shkrimtarëve të rinjë nga Kosova dhe Serbia, Azem Deliu që i printe murit që ishin vendosur poezitë, Flutur Mustafa dhe Ana Novakovic. Bashkim i të kaluarës së zbehtë së bashku, kërkim i të ardhmes së barabartë së bashku. Aty shfaqej shpirti i vuajtur i të dyja palëve dhe njëkohësisht dëshira e madhe për të fluturuar në ëndrrat e tyre, për një shoqëri të barabartë, të drejtë dhe pa frikë. Për akuj të shkrirë në ujrat e të cilëve të gjithë mund të notojnë të qetë.

Sipas krijuesit të poezisë ‘’Për cilin Beograd?’’, shkrimtarit të ri Azem Deliu, ky projekt ka ndihmuar që këta të rinjë t’i gdhendin më shumë temat e kontekstit ditor duke larguar paragjykimet për tjetrin. ‘’Vetë në poezinë time Për cilin Beograd? kam tentuar të ironizoj nacionalizmat dhe të shpërfaqë anët e bukura të përjetimit të një qyteti duke mos u infektuar nga konteksti politik’’ përfundoi ai.

Jo më pak e rëndësishme, aty në mes të ekspozitës na përshëndeste edhe instalacioni i artistes Katarina Iliskovic, një simbol i lirisë, qetësisë dhe ndjenjës që i identifikon jo vetëm shoqëritë tona por edhe të gjithë botën. Ishte filxhani i kafesë, të cilin me delikatesë e kishte zgjedhur ajo për ta ekspozuar në galeri.

Përveç ekspozitës, në një dhomë të galerisë publiku pati rastin të shihte edhe filmin e shkurtër ‘’Q&A’’ i realizuar në kuadër të projektit me regji të Nebojsha Petrovic, Izabela Mashic dhe Demir Mekic. Pjesë e filmit ishin edhe aktorë nga Serbia dhe Kosova si Rade Obradovic, Rajmonda Ahmetaj dhe Shqipe Gashi. Ky film ishte pasqyrë reale e gjendjes në shoqëritë tona patriarkale të mveshura me traditë, paragjykime dhe frikë. Ai tregon kërkesat e individëve për liri. Liri për të qenë të barabartë, për të qenë ata që duan të jenë.

Në mesin e shumë të pranishmëve në ekspozitë, aty ishte edhe përfaqësuesi i zyrës së Kosovës në Beograd z.Valdet Sadiku si dhe shumë ambasadorë të tjerë të shteteve të ndryshme që janë në Serbi.

Në fund është e rëndësishme që ky projekt u dha atyre mundësinë që të njihen më mirë dhe çka është më e rëndësishmja të jetojnë dhe punojnë së bashku, në kushte të cilat nuk lejojnë harrimin e të kaluarës, por edhe në kushte në të cilat së bashku janë të vendosur të ndërtojnë të ardhmen pa barriera, pa frikë dhe të barabartë.

 

 

Galerija

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Copyright * Helsinki Committee for Human Rights in Serbia - 2015

Web Design * ParadoXFactory