Artistë të rinj
nga Kosova, janë pjesë e ekspozitës
së hapur mbrëmë në Beograd, me temën
"Kujtim nga lufta".
Mes veprave të
ekspozuara, është edhe ajo e
titulluar "Relikë (t)" nga Eni
Pirana, që paraqet një instalacion,
me artefakte nga fëmijëria e tij,
gjatë luftës.
"Ndërdija është
një forcë shtytëse e një individi,
që i jep formë personalitetit. Çdo
gjë që përjetojmë, momente dhe
eksperienca specifike që mund ti
kemi harruar ose marrë si jo te
rendesishme me kalimin e kohës, dhe
madje edhe ato momente që ne nuk e
konsiderojmë veten pjesë e tyre,
lënë gjurmët e tyre në procesin e
krijimit tonë.
Gjatë luftës në
Kosovë isha një fëmijë 15 muajsh dhe
bota ime ishte e kufizuar në krahët
e nënës sime. Ose kështu mendova,
duke besuar se si një fëmijë i vogël
nuk mund t'i kujtojë ngjarjet,
sidomos ato me përmasa të tilla.
Dosjet e mia të kujtesës fotografike
nuk përmbajnë një arkiv të imazheve
të luftës. Në fund të fundit, unë
isha një fëmijë i hutuar dhe i
pavetëdijshëm.
Kujtimi i luftës
filloi të jetonte në mendjen time
nëpërmjet tregimeve që më janë
treguar sepse tregimet gjithashtu
kanë një rol të madh dhe jetojnë në
ndërdije. Një histori e mbërthyer në
mua përgjithmonë, njëra që nëna më
tregoi për trupat paramilitare që
grumbullonin të rriturit, meshkuj
nga shtëpitë e tyre, një veprim që e
detyroi familjen time të kërkonte
shpëtim duke u larguar nga shtëpitë
e tyre, ashtu si edhe shumë familje
të tjera. Largimi nga shtëpitë e
tyre ishte një vendim i vështirë për
shumë, kjo ishte më e vështira që
ata kishin bërë ndonjëherë. Udhëtimi
ishte gjithashtu i pasigurt. Shumë
familje u ndaluan dhe u arrestuan
ose u grabitën nga pasuritë e tyre
të vetme dhe madje u ndanë, vetëm
për t'u ribashkuar muaj më vonë. Me
këtë mundësi në mendje, nëna ime
qëndroi zgjuar natën përpara se të
merrnim këtë udhëtim të rrezikshëm,
dhe qepi 500 Marka Gjermane brenda
secilës prej mëngëve të xhaketave të
dimrit që vëllai im dhe unë do të
vishnim ditën tjetër. Ajo qepi
vendin e grisur për t'u dukur në
mënyrë të përsosur, me shpresë se
nëse do të ishim të ndarë, do të
kishim diçka për të jetuar për një
kohë.
Sa herë që lufta
vjen në bisedë, imazhet e çuditshme
aktivizohen nga ndërdija ime.
Imazhet e një gjilpëre dhe fije, një
xhaketë të vogël dimri dhe disa para
me ngjyrë vjollce, " thuhet në
përshkrimin e instalacionit.
Ekspozita e
përbashkët e artistëve të rinj nga
Serbia dhe Kosova është organizuar
në kuadër të programit Serbia and
Kosovo: Intercultural Icebreakers i
cili qe nga viti 2014 drejtohet nga
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat
e Njeriut në Serbi.
Artistët
pjesëmarrës janë: Teodora Saviç,
Shpat Maloku, Vana Filipovski, Eni
Pirana, Ana Novakoviç, Azem Deliu,
Katarina Ilishkoviç, Flutur Mustafa
dhe Ivan Diniç.
|