Mbretëria e SKS/Jugosllavia (1918–1941)
Kjo gjendje e ndërlikuar më tej për faktin se në shtetet e sapoformuara kishte pakica etnike të atyre popujve shtetet e të cilëve u mundën në luftë. Kjo, së bashku me nacionalizmin imanent, çuan në një trajtim më të theksuar të pabarabartë të pjesëtarëve të „popujve të mundur“. Në shtetin e sapoformuar jugosllav, natyrisht, kjo kryesisht u referohej gjermanëve dhe hungarezëve, të cilët ishin pakica etnike të mëdha në pjesët veriore të tij. Gjithashtu, për shkak të specifikave të marrëdhënieve shqiptaro-serbe, pjesëtarët e pakicës shqiptare në Mbretërinë e Jugosllavisë ishin, në shumë aspekte, në pozitë të qytetarëve pa të drejta. Në fund, përveç konfliktit në luftë, përkatësia e shumicës dhe grupeve të pakicave në bashkësi të ndryshme fetare gjithashtu ndikoj si faktor mosmarrëveshjeje (në hapësirën e ish-Mbretërisë së dikurshme të Serbisë).
Në përgjithësi, qëndrimi i autoriteteve të Mbretërisë ndaj popullsisë pakicë ishte i pafavorshëm. Përfaqësuesit e elitës sunduese serbe nuk kishin një përvojë të rëndësishme të jetesës në një kontekst multietnik: Mbretëria e Serbisë ishte deri në vitin 1912/13 etnikisht gati homogjene. Mbizotëronte mosbesimi ndaj pakicave jashtëzakonisht të vogla. Shumë rregulla ligjore diskriminonin drejtpërdrejt popullsinë pakicë – veçanërisht ato të origjinës josllave – ndërsa pengesa de facto u krijuan në fushën e jetës së përditshme, të cilat nuk kishin asnjë bazë ligjore. Një situatë e tillë çoi gjithashtu tek nevoja që pjesëtarët e kombeve pakicë të përdorin instrumentet e së drejtës ndërkombëtare – peticione Lidhjes së Kombeve kundër Mbretërisë së Jugosllavisë. Sidoqoftë, nuk ka pasur ndonjë përmirësim të dukshëm të pozitës së pakicave kombëtare. Përjashtim të vetëm paraqet pozita e pakicës kombëtare gjermane në prag të Luftës së Dytë Botërore, e cila ishte kryesisht rezultat i pozitës specifike dhe ndikimit të Gjermanisë në Europë në atë kohë.
Shtyesa etnike e politikës shtetërore në Mbretërinë e SKS/Jugosllavi
Brenda korpusit të çështjeve të emancipimit politik dhe kombëtar në nivel individual dhe kolektiv, në të dy shtetet jugosllave, theks i veçantë duhet t'i kushtohet ndryshimit midis ekzistencës nominale, dmth. realizimit normativ dhe thelbësor të atyre të drejtave. Kështu, përveç barazisë së proklamuar të tre popujve përbërës në Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, kishte tashmë një majorizim de facto gjatë miratimit të Kushtetutës së Vidovdanit (1921), dhe kjo prirje vazhdoi më vonë. Pastaj, edhe pse sistemet e ndryshme të vetëqeverisjes ishin rregulluar ligjërisht gjatë gjithë kohës së regjimit të Vidovdan dhe më vonë parlamentarizmit Oktroisan, vetëm një palë zgjedhje u mbajten për asambletë rajonale (1927) dhe asnjë palë zgjedhje për asambletë e rretheve dhe për këshillat e banovinës. Megjithëse kushtetuta parashikonte barazinë civile, pothuajse çdo aspekt i politikës shtetërore gjatë Jugosllavisë monarkike u zhvillua në përputhje me çelësin etnik. Kriteri etnik paracaktoi pothuajse plotësisht procedurën (konfidenciale) administrative në fushën e politikës së migracionit ose zbatimit të masave të reformës agrare në mbretërinë në mes dy luftrave botërore. Procedura për lëshimin e pasaportave emigruese ose lëshimin e vizave hyrëse për të huajt u përcaktua kryesisht në bazë të kritereve etnike. Në mesin e të huajve të padëshirueshëm në radhë të parë ishin hebrenjtë dhe gjermanët. Nga ana tjetër, në fushën e politikës së emigracionit, emigrimi i pakicave kombëtare ishte i favorizuar, kryesisht i turqve (myslimanëve), hungarezëve dhe gjermanëve. Ndërsa pjesëtarët e këtyre grupeve të pakicave morën pasaporta menjëherë pas paraqitjes së kërkesës, për të ashtuquajturën elementi kombëtar, pra anëtarët e tre popujve përbërës, procedura ishte shumë e ndërlikuar dhe nganjëherë kërkonte miratimin përfundimtar të një përfaqësuesi të qeverisë qendrore (Ministrit të Arsimit). Kjo veçanërisht vlente në rastet kur aplikantët për pasaportë emigrimi bënin kërkesë së bashku me anëtarët e familjes.
Kushtetutat e Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve dhe Mbretërisë së Jugosllavisë proklamomin lirinë e lëvizjes së qytetarëve të saj, kështu që futja e kritereve etnike në politikën e emigracionit kryhej përmes njoftimeve konfidenciale (sekrete) që qarkullonin në administratën e shtetit. Kjo politikë e fshehur shtetërore kishte si pasojë që grupet etnike që përbënin 7-8 përqind të popullsisë përbënin gjysmën e të gjithë emigrantëve nga Mbretëria brenda disa viteve. Kur bëhet llogaritja në lidhje me numrin e emigrantëve për 10.000 banorë të një grupi të caktuar etnik, të dhënat bëhen edhe më të habitshme. Derisa për gjermanët etnikë dhe hungarezët numri mesatar vjetor (për periudhën 1921-1928) i emigrantëve në këtë aspekt është 47.08, për serbët, kroatët dhe sllovenët etnikë numri i emigrantëve është vetëm 9.59. Në vitin 1924, ky raport ishte më shumë se 10 me 1 „në favor“ të grupeve të përmendura të pakicave. Kjo është pa llogaritur turqit dhe myslimanët që u transferuan në Turqi dhe të cilët nuk ishin regjistruar në statistikat zyrtare të shtetit.
Legjislacioni mbi reformën agrare gjithashtu ka përcaktuar kriteret socio-ekonomike dhe barazinë e qytetarëve para ligjit, kurse në praktikë palët përfituese (ata të cilëve u ishte ndarë toka) ishin pothuajse ekskluzivisht serbë etnikë, kroatë dhe sllovenë. Për më tepër, masat e reformës agrare janë zbatuar shumë shpesh pikërisht në dëm të grupeve të pakicave, siç ishte rasti me pakicat kombëtare turke dhe shqiptare në të ashtuquajturë Serbi Jugore. Në vitet 1920, banka shtetërore e hipotekave siguroi gjithashtu hua për blerjen e pronave turke dhe tokës së punueshme.
Një shtet i formuar pa një konsensus thelbësor të identitetit nuk kishte konsensus politik, dhe probleme edhe më të mëdha lindën nga moszbatimi i legjislacionit të paktë që mundësonte vetëqeverisjen, ose sigurimi i të drejtave themelore civile. Fërkimet etnike ishin aq të theksuara sa që edhe në debatin parlamentar mbi tarifat doganore në vitin 1925, konfliktet fisnore dhe etnike u hapën dhe nuk u zhvillua asnjë debat i matur mbi rezultatet ekonomike të zbatimit të tarifës doganore të propozuar.
Pati disa lëvizjeve në fushën e emancipimit civil, politik dhe kombëtar, por në rangje të ndryshme sipas kritereve etnike dhe politike, të cilat përcaktonin politikën e shtetit. Në kuptimin kombëtar, emancipim domethënës arrihet nga korpuset etnike sllovene dhe serbe i cili për herë të parë është pothuajse plotësisht i bashkuar brenda shtetit të vetë kombëtar. Në kuptimin politik, pas parlamentarizmit të Vidovdanit, i cili shpalli nominalisht idetë emancipuese të barazisë dhe të votës universale, pasuan regjimet të cilat i kthyen prapa ato standarde të proklamuara dhe i kompromentuan ato në masën që mund të flitej për anulimin e të gjithë projektit të mëparshëm të emancipimit. Shpallja e Jugosllavisë unitare rrezikonte më tej legjitimitetin e një rendi i cili në këtë mënyrë mohonte më tej specifikën kombëtare, madje edhe për ato grupe etnike të cilat ishin të njohura kombëtarisht.
Pyetjet:
1. Deri në çfarë mase mund të konsiderohet krijimi i Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve realizim i së drejtës së popujve për vetëvendosje? Cilët popuj, me kusht, ishin të kënaqur me Jugosllavinë e parë dhe për cilët popuj politika kombëtare dhe shtetërore e autoriteteve jugosllave ishte jashtëzakonisht e pafavorshme?
2. A luajti rol kriteri etnik në zbatimin e politikës shtetërore, apo shteti ndoqi ekskluzivisht parimin e barazisë civile?
3. A kishte shteti të njëjtin qëndrim ndaj të gjithë qytetarëve të tij në fushën e zbatimit të reformës agrare ose lëshimin e pasaportave të emigrimit? A buronte pabarazia nga ligji apo ishte imponuar në mënyrë të paligjshme dhe antikushtetuese?