Sulmi i fuqive të Boshtit dhe aleatëve të tyre ndaj Jugosllavisë në prill 1941 çoi në shpërbërjen e shpejtë të shtetit, paqëndrueshmëria e brendshme e të cilit kontribuoi ndjeshëm në këtë shpërbërje. Fati i saj në luftë u përcaktua kryesisht nga fakti se një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të popujve të vendeve agresore jetonin në Jugosllavi, duke përfshirë shtyllën kryesore të aleancës agresore - Gjermaninë dhe Italinë. Marrëdhëniet midis vetë popujve jugosllavë u prishën rëndë nga sistemi unitar-centralist që mbizotëroi deri në vitin 1939, kur u ndryshhua ashtu që prapë nuk garantonte stabilitet, ndër të tjera pasi që bazohej në një marrëveshje dypalëshe midis vetëm dy popujve – serbëve dhe kroatëve.

Tregimet digjitale: Lugina Arabe e gjakut

Historia e Luftës së Dytë Botërore në Jugosllavi shënohet kryesisht nga fakti i agresionit të fuqive të Boshtit, por përvoja specifike e konfliktit ndëretnik ishte kryesisht pasojë e periudhës paraprake, në të cilën pabarazia kombëtare rëndonte marrëdhëniet e brendshme në vend. Dominimi i elitave politike serbe dhe mungesa e vullnetit për të zgjidhur çështjen kombëtare në Jugosllavi me një marrëveshje gjithëpërfshirëse çuan jo vetëm në konflikte të koncepteve të ndryshme politike të orientuara në shkallë kombëtare por në diskriminim real dhe të përditshëm, i cili nuk mund të anashkalonte pjesëtarët e popullit serb në zonat ku ata jetonin si pakicë. Shtoji gjithë kësaj disavantazhin dhe pakënaqësinë e kahershme të pakicave të tilla si ajo hungaria, gjermane, italiane ose shqiptare, dhe bëhet e qartë se shpërbërja e Jugosllavisë nënkuptonte një shpërthim të shumëfishtë dhe policentrik në konflikte me bazë etnike.

Të gjitha formacionet kuislinge në zonën e Jugosllavisë së shkatërruar ishin etnocentrike dhe, për aq sa ishte e mundur, jashtëzakonisht agresive ndaj pakicave. Shteti i Pavarur i Kroacisë kryesonte për sa i përket masës së krimeve, i cili ndoqi një politikë gjenocidale ndaj serbëve, hebrenjve dhe romëve me masat më radikale. Sidoqoftë, me përgatitje më pak sistematike dhe logjistike, veprimet e anëtarëve të formacioneve ushtarake dhe paraushtarake në pjesë të tjera të shtetit të copëtuar Jugosllav nuk ndryshonin dukshëm në natyrën e krimeve. Veprimet brutale çetnike morën jetën e mijëra civilëve joserbë, si dhe të atyre që u perceptuan si kundërshtarë, revolucionarë, komunistë në mesin e vetë serbëve. Nga ana tjetër, serbët vuajtën rëndë në Hungari, si dhe në Kosovë, nga ku u dëbuan në numër të madh, por edhe u vranë.

„Lufta e të gjithëve kundër të gjithëve“ ishte një realitet i ashpër kundër të cilin komunistët jugosllavë e kundërshtuan fuqimisht, duke organizuar lëvizje çlirimtare gjithëpërfshirëse. Shtylla kryesore ishte hapja ndaj pjesëtarëve të të gjithë popujve jugosllavë, kryesisht me një platformë antifashiste, por edhe me një platformë politike progresive (jo domosdoshmërisht revolucionare). Ky opsion gjithëpërfshirës në aspektin etnik, i frontit popullor gjatë gjithë luftës kishte një komponent të qartë revolucionar, por fakti është se angazhimi revolucionar nuk ishte i një rëndësie parësore në fushën e rekrutimit të luftëtarëve kundër fashizmit.

Ishte e një rëndësie të veçantë për Lëvizjen Nacional Çlirimtare që përfaqësonte mikrokozmosin internacionalist dhe që kishte në radhët e saj jo vetëm pjesëtarë të popujve sllavë të jugut, por edhe pjesëtarë të pakicave gjermane, hungareze, italiane, shqiptare dhe të pakicave tjera kombëtare „shtetet amë“ të të cilëve ishin agresorë. Kriteri themelor ishte – gatishmëria për të luftuar kundër fashizmit dhe pushtuesve. Pikërisht përmes paradigmës antifashiste ishte i theksuar kundërshtimi ndaj përmbajtjes racore dhe etnike të asaj ideologjie vrasëse, kurse shprehja më elokuente e saj ishte ideologjia e „vëllazërim-bashkimit“.

Dihet mirë se Lëvizja Nacional Çlirimtare (LNÇ) ishte gjithëpërfshirëse në aspektin nacional dhe se, mbi bazën e antifashizmit, përfshiu në radhët e saj pjesëtarë të kombeve të ndryshëm që jetonin në Jugosllavi. Një politikë e tillë lindi drejtpërdrejt nga mjedisi ideologjik i udhëheqësve dhe nismëtarëve të LNÇ - komunistëve jugosllavë, tek të cilët natyrshëm lindi idea për të transformuar pozicionin e internacionalizmit proletar dhe drejtpërdrejt ta zbatojnë atë në strukturën heterogjene kombëtare të kornizës shtetërore në të cilën vetë kishin vepruar.

Përveç kësaj, lëvizja e armatosur komuniste tërhoqi në thelb përmes të njëjtave pikëpamjeve internacionaliste individë nga kombet jo-jugosllave. Gjithashtu është fakt se lufta midis pjesëtarëve të popujve jugosllavë ishte gjithashtu e përhapur në Jugosllavi, kështu që kjo qasje internacionaliste ishte e rëndësishme edhe në atë aspekt. Në proklamatën nga korriku i vitit 1941, në kryengritjes kundër okupatorëve fashistë organizotër e kryengritjes ftuan (me një formulim disi të vështirë) „popujt e Jugosllavisë: serbët, kroatët, sllovenët, malazezët, maqedonasit dhe të tjerët“.

Proklamate e KQ PKJ e 15 prillit 1941

Ishte një sfidë veçanërisht e vështirë të mblidheshin me pushkë për luftë të organizoheshin pjesëtarët të atyre popujve, pakicat e të cilëve jetonin në Jugosllavi, kurse shtetet kombëtare të të cilëve formuan shtyllën kryesore të aleancës agresore. Kjo ishte edhe më e vështirë, pasi që marrëdhëniet ndëretnike në periudhën e mesluftës ishin në thelb të pafavorshme dhe të ngarkuara me mosbesim dhe madje intolerancë. Në këtë drejtim, spikasin komunitetet pakicë të gjermanëve, italianëve, shqiptarëve dhe bullgarëve. Sidoqoftë, pjesëtarët e të gjitha këtyre kombeve do të përfaqësohen në radhët e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Shumica e tyre ishin shtetas të Jugosllavisë edhe para luftës, por kishte edhe „dezertues“ nga radhët e njësive pushtuese (sidomos në rastin e italianëve). Numri më i vogël i luftëtarëve që u bashkuan me LNÇ nga radhët e kombeve pakicë, megjithëse është një pakicë shumë e madhe, ishte në rastin e gjermanëve. Përderisa kishte brigada të tëra të përbëra nga italianët, hungarezët ose shqiptarët, në rastin e gjermanëve jugosllavë, kishte vetëm një tog, e cila për shkak të kësaj është edhe më interesante.

Ivan Muker

PKa pasur raste individuale kur popullata lokale gjermane u bashkua me formacionet e LNÇ (si dhe në grupe shumë të vogla) që nga viti 1941, kryesisht në Vojvodinë dhe Sllavoni. Sidoqoftë, një nga luftëtarët partizanë më të shquar me origjinë gjermane ishte Ivan Muker, i cili kishte (në atë kohë) një biografi disi atipike: prindërit e tij, të cilët ishin nga Daruvari i Sllavonisë, ishin shpërngulur në Austri, ku kishte lind djali i tyre Ivani.

Familja u zhvendos përsëri në Jugosllavi për shkak të punës, deri në Krushevc dhe Smederevska Pallankë. Vetë Ivani ishte një punëtor metalik dhe lufta e gjeti në Smederevska Pallankë, si një aktivist komunist. Ishte aktiv në luftimet në Serbi deri në mars 1942, kur në një situatë të pashpresë i mori vetës jetën, në mënyrë që të mos binte në duart e ndjekësve gjerman. Pas luftës, në vitin 1953, ai u shpall hero kombëtar dhe një shkollë në Smederevska Pallankë e mban ende emrin e tij.

Kur numri i ushtarëve partizanë me përkatësi gjermane në zonën e Sllavonisë u rrit në disa dhjetra, u vendos që të formohej një tog i veçantë, duke ndjekur shembullin e njësive ekzistuese hungareze dhe çekosllovake. Nën flamurin e Gjermanisë së Weimarit, në të cilin ishte një yll të kuq me pesë cepa, komandat për të luftuar okupatorët nazifashistë u lëshuan në gjermanisht, dhe njësia ishte e armatosur në mënyrë „elitare“, në mënyrë që të tregohej në këtë mënyrë (simbolike) faktin që e individët në dukje të privilegjuar në një kontekst të caktuar i kanë kthyer armët e tyre kundër një sistemi që u garanton atyre një pozitë të privilegjuar.

Klaus Leve: Berlinas në rradhët e partizanëve

Pas themelimit të togut, ai kishte 30 deri në 40 luftëtarë, kryesisht nga Sllavonia, pastaj nga Vojvodina dhe një numër i caktuar të huaj. Komandanti i tij ishte Rudolf Vaupotiç, ndërsa Josef Kirchner u emërua zëvendës i tij. Është interesante që komisioner i kësaj kompanie ishte Ivan Johan Muker, i cili deri në atë kohë kishte qenë komisioner në Brigadën e XVIII të Sllavonisë. Bëhet fjalë për babanë e Ivan Mukerit, i cili është përmendur tashmë, dhe në kohën e formimit të kësaj toge, Johan Muker tashmë kishte humbur të dy djemtë – Ivanin dhe Augustin. Kompania gjithashtu kishte gra në radhët e saj, dhe një prej tyre – Beta Stimberger, ishte sekretare e organizatës së SKOJ-it.

Togu u emërua sipas Ernst Telmanit, udhëheqësit të Partisë Komuniste Gjermane, i cili ishte gjithashtu kandidati i saj për president të Gjermanisë, dhe u burgos kur nazistët erdhën në pushtet. Ai ishte akoma gjallë në kohën e formimit të togut, por në gusht të vitit 1944 u ekzekutua në kampin Buchenwald. Sipas personalitetit të tyre eponim, pjesëtarët e këtij togu quheshin edhe Telmanë.

Gjatë luftës një vjeç e gjysmë, kompania me të vërtetë kaloi detyra shumë të vështira. Ajo nuk ishte një lloj parade dhe luftëtarët e saj më të shquar u vranë në luftime. Në nëntor 1943, në një konflikt me njësitë gjermane dhe ustashe në rrugën Nashice - Sllatina, togu humbi rreth 17 luftëtarë (të cilët në atë kohë përbënin rreth një të tretën e përbërjes së saj). Pas kësaj ngjarjeje, një ftesë iu dërgua të gjithë pjesëtarëve të kombësisë gjermane në njësitë e LNÇ për t'u bashkuar me Telmanët. Duke pësuar humbje dhe duke mbushur radhët me luftëtarë të rinj, rreth njëqind luftëtarë antifashist kaluan nëpër këtë tog. Shumë prej tyre njihen vetëm sipas emrit, kurse çdo e dhënë tjetër në lidhje me jetën para se të bashkoheshin në tog kanë mbetur përgjithmonë të panjohur, veçanërisht individët që ishin pjesë e togut dhe ishin me origjinë nga vendet tjera – Gjermania, Belgjika, Austria, Franca...

 

 

1. Çfarë roli luajnë konfliktet etnike në tërë ngjarjet e luftës në Jugosllavinë e okupuar 1941-1945? Kush ishin protagonistët kryesorë të konflikteve ndëretnike?

2. Si e shpjegoni inkluzivitetin kombëtar të lëvizjes partizane dhe faktin që ajo madje arriti të përfshinte përfaqësues të grupit kombëtar gjerman në lëvizjen aktive antifashiste?

3. Sipas mendimit tuaj, cilat janë mesazhet kryesore të ekzistencës afatgjatë dhe luftës aktive të Telmanëve kundër forcave pushtuese në Jugosllavi?

 

Krijimi dhe mirëmbajtja e kësaj faqeje interneti është financuar nga mjetet e Bashkimit Europian dhe është bashkëfinancuar nga ana e Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe të Minoriteteve dhe Dialog Shoqëror.
Për përmbajtjen e saj është ekskluzivisht përgjegjës Komiteti i Helsinkut për të Drejtat e Njeriut në Serbi, dhe kjo përmbajtje nuk i refleton domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Europian dhe të Qeverisë së Republikës së Serbisë.